Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka bërë të ditur një sërë procedimesh të nisura nga strukturat e saj gjatë 24 orëve të fundit, që përfshijnë shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, dëmtim prone, ngacmim seksual dhe një rast vdekjeje aksidentale në Pukë.
I kapur në gjendje të dehur gjatë drejtimit të automjetit, 73-vjeçari N. B., banues në Shkodër, u procedua në gjendje të lirë nga Specialistët e Qarkullimit Rrugor.
Ndërkohë, një 49-vjeçare e identifikuar si E. Sh. u procedua penalisht për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt”, pasi automjeti që drejtonte u përplas me mjetin e shtetasit I. D., 63 vjeç. Për fat, nga aksidenti pati vetëm dëme materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve referuan në Prokurori materialet për tre shtetas të tjerë:
- A. S., 33 vjeç, nga Gruda e Re, i cili dyshohet se në gjendje të dehur ka thyer me grushte xhamat e derës së Spitalit Gjinekologjik Shkodër.
- L. D., 33 vjeç, banues në Shkodër, i kallëzuar nga një shtetase amerikane, 29 vjeçe, e cila pretendon se më 30 nëntor ky shtetas e ka ngacmuar seksualisht.
- Një 14-vjeçar, i cili dyshohet se ka goditur me grushte një 19-vjeçar, për motive të dobëta.
Ndërkohë, në Pukë, më 1 dhjetor, është gjetur i pajetë në banesë 75-vjeçari Sh. G., për të cilin dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e një rrëzimi aksidental në tualet.
Policia njofton se të gjitha materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për vijimin e mëtejshëm të hetimeve.


