Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka lëshuar një njoftim të rëndësishëm lidhur me përhapjen e Murtajës Afrikane të Derrave (MAD), një sëmundje tepër e rrezikshme që prek ekskluzivisht popullatat e derrave dhe që mund të përhapet me shpejtësi të madhe në mungesë të zbatimit të masave strikte të biosigurisë në ferma.
Sipas AKVMB, biosiguria është mburoja e vetme më efektive për të mbrojtur tufat, investimet dhe të ardhmen e fermerëve, duke theksuar se edhe njerëzit mund të përhapin sëmundjen pa e ditur, përmes pajisjeve, veshjeve apo lëvizjeve brenda e jashtë fermave.
Institucioni i bën apel të gjithë fermerëve të zbatojnë masat kryesore të biosigurisë:
- Rishikoni planin e biosigurisë në bashkëpunim me mjekun veterinar. Nëse nuk ekziston një plan, krijoni atë dhe ndiqeni me rigorozitet.
- Çdo person që hyn në fermë, qoftë punëtor apo vizitor, duhet të jetë i informuar dhe të respektojë rregullat e biosigurisë.
- Trajnoni rregullisht punëtorët, sidomos të rinjtë ose ata që kanë role kyçe në menaxhimin e fermës.
AKVMB nënvizon se vetëm përmes zbatimit të rregullave të biosigurisë mund të parandalohet përhapja e kësaj sëmundjeje shkatërruese, e cila ka goditur rëndë sektorin e blegtorisë në shumë vende të rajonit dhe më gjerë.
Institucioni mbetet në gatishmëri për të ofruar udhëzime të mëtejshme për fermerët.


