Federata Shqiptare e Gjimnastikës zhvillon Asamblenë Vjetore.Presidenti Leonard Lulaj

Federata Shqiptare e Gjimnastikës zhvilloi të hënën, më 2 dhjetor 2025, Asamblenë e Përgjithshme Vjetore, një ngjarje e rëndësishme për drejtimin dhe të ardhmen e këtij sporti në vend. Mbledhja u drejtua nga Presidenti i Federatës, z. Leonard Lulaj, i cili njihet për përkushtimin dhe angazhimin e tij maksimal për zhvillimin dhe rritjen e nivelit të gjimnastikës shqiptare.

Lulaj theksoi nevojën për bashkëpunim më të gjerë mes anëtarëve dhe institucioneve, si dhe për rritjen e cilësisë së punës në të gjitha nivelet e federatës. Ai shprehu vendosmërinë për të vijuar projektet që e çojnë këtë sport drejt standardeve që meriton.

I ftuar nderi në Asamble ishte z. Fidel Ylli, President i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Në fjalën e tij, Ylli vuri theksin te masivizimi i gjimnastikës, duke nënvizuar përpjekjet për ta përfshirë atë në projektin “Ekipet Sportive në Shkolla”, një iniciativë që synon rikthimin e aktivitetit sportiv tek nxënësit dhe krijimin e brezit të ri të talentëve.

Në mbledhje morën pjesë anëtarët e Komitetit Drejtues dhe përfaqësues të federatës nga qytete të ndryshme të vendit, përfshirë Tiranën, Shkodrën, Beratin, Korçën dhe Krujën. Gjatë punimeve u prezantua raporti vjetor i aktiviteteve si dhe ai financiar, ndërsa diskutimet u fokusuan te zhvillimi i qëndrueshëm i gjimnastikës dhe rritja e ndikimit të saj në nivel kombëtar.

Në Asamble u miratua rendi i ditës, ku përfshihej edhe pranimi i dy kërkesave të reja për anëtarësim në federatë, duke zgjeruar kështu bazën e saj organizative.

Federata Shqiptare e Gjimnastikës shprehu angazhimin për të vijuar me projekte konkrete dhe bashkëpunime të reja, duke e çuar këtë sport drejt standardeve moderne dhe një prezence më të fortë në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.

Home » Sport » Federata Shqiptare e Gjimnastikës zhvillon Asamblenë Vjetore.Presidenti Leonard Lulaj

Lajme te tjera

error: Content is protected !!