Një ngjarje e rëndë ka tronditur lagjen “Tre Heronjtë” në Shkodër, ku një shtetas u kanos me armë zjarri nga një person i cili, pas një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar në ajër.
Falë reagimit të shpejtë të Policisë së Shkodrës, autori u identifikua dhe u arrestua brenda një kohe të shkurtër. Bëhet fjalë për shtetasin Altin Shpendi, 26 vjeç.
Specialistët për Hetimin e Krimeve, në bashkëpunim me shërbimet e Patrullës së Përgjithshme dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, ndërhynë menjëherë pas marrjes së njoftimit për ngjarjen. Gjatë veprimeve u sekuestrua arma e zjarrit, një automatik, me të cilën dyshohet se 26-vjeçari kanosi shtetasin tjetër, Xh. G., 20 vjeç.
Policia njofton se po vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të rastit, ndërsa materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.


