Përvjetor i një figure gjigante të Shkodrës – Nikolla “Kol” Idromeno

Sot përkujtojmë ndarjen nga jeta të një prej mendjeve më të ndritura dhe personaliteteve më të gjithanshme që ka nxjerrë Shkodra dhe mbarë Shqipëria: Nikolla “Kol” Idromeno, i lindur më 15 gusht 1860 dhe ndarë nga jeta më 12 dhjetor 1939.

Kol Idromeno nuk ishte thjesht një artist – ai ishte një institucion më vete. Piktor, arkitekt, urbanist, fotograf, muzikant, skenograf, kompozitor dhe një prej pionierëve të kinemasë në Shqipëri, që në vitin 1919 solli shfaqjet e para filmike në vend. Ai i dha Shkodrës dhe kulturës shqiptare një trashëgimi të pamatshme, duke u bërë gurthemelet e Shkollës Shkodrane të Arteve Pamore.

Jeta dhe vepra e tij tregojnë se Idromeno nuk ishte vetëm krijues i imazheve, por edhe krijues i epokave. Që i ri, i ndihmuar nga talenti i lindur dhe nga mjeshtri Pietro Marubi, ai u formua artistikisht në Venecia dhe u rikthye në Shkodër për të ngritur standarde të reja në pikturë dhe fotografi. Në çdo hap të karrierës, Kola sjelli risi – nga portretet e para psikologjike shqiptare, te pikturat me tematikë sociale, nga natyrat e gjalla te skenat epike të historisë sonë.

“Motra Tone”, vepra e tij e pavdekshme e vitit 1883, njihet si “Mona Liza e Shqipërisë”, një portret i ngulitur thellë në memorien kulturore të vendit. “Darsma Shkodrane”, “Pusíja”, “Dy rrugët”, “Fajda”, “Lugu i Kaçakeve”, “Plaku i Postrribës” dhe qindra vepra të tjera e bëjnë Idromenon një prej korifenjve të artit tonë kombëtar.

I palodhur, kërkues, përparimtar dhe njëkohësisht patriot i flaktë – u përfshi edhe në lëvizjen e Lidhjes së Prizrenit në vitin 1878, duke dëshmuar se fryma e tij ishte po aq atdhetare sa artistike.

Idromeno ishte njeriu që solli modernitetin në Shkodër dhe që i dha formë identitetit artistik të një qyteti të tërë. Nëpërmjet artit të tij ai dokumentoi një epokë, një qytet, një frymë dhe një kulturë që sot, nëpërmjet veprave të tij, mbeten të gjalla.

Në këtë përvjetor të ndarjes së tij nga jeta, Shkodra dhe Shqipëria kujtojnë njeriun që frymëzoi, krijoi dhe la pas një trashëgimi të pakrahasueshme.

Lavdi jetës, punës dhe artit të Kol Idromenos – mjeshtrit që i dha dritë Shkodrës.

Home » Kulturë & Art » Përvjetor i një figure gjigante të Shkodrës – Nikolla “Kol” Idromeno

Lajme te tjera

error: Content is protected !!