Dy pedagoge të UNISHK pranohen bashkëudhëheqëse doktorature në Austri

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” shënon një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e ndërkombëtarizimit akademik. Dy pedagoge të këtij institucioni, Prof. As. Dr. Albana Boriçi dhe Prof. As. Dr. Bresena Kopliku, janë pranuar zyrtarisht si bashkëudhëheqëse të studimeve të Doktoratës në Austri.

Ky vlerësim përfaqëson një arritje të rëndësishme për stafin akademik të UNISHK dhe dëshmon besimin e institucioneve të arsimit të lartë austriake në kapacitetet shkencore dhe profesionale të pedagogëve shqiptarë. Bashkëpunimi hap mundësi të reja për kërkim shkencor, shkëmbim eksperience dhe rritje të cilësisë së studimeve të ciklit të tretë, në funksion të doktorantëve dhe pedagogëve të Universitetit të Shkodrës.

Ky zhvillim vjen si vijim i marrëveshjeve akademike me palën austriake, të cilat u konkretizuan një vit më parë me hapjen e dy programeve doktorale të përbashkëta. Në këtë proces ka pasur një rol të rëndësishëm ndërmjetësimi znj. Edona Bilali, ish-deputete dhe aktualisht Zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila ka kontribuar në ndërtimin dhe forcimin e urave të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar.

Sipas njoftimit të universitetit, bashkëpunimi për këto programe doktorature ka hyrë tashmë në një fazë të re zhvillimi, duke forcuar më tej pozicionin e UNISHK në hapësirën akademike europiane.

Universiteti i Shkodrës u uron suksese dy profesoreshave të nderuara, të cilat, së bashku me Zëvendës Rektoren Prof. Dr. Blerta Dragusha, po angazhohen për ta bërë këtë bashkëpunim sa më konkret dhe të dobishëm për doktorantët dhe stafin akademik të institucionit.

Home » Aktualitet » Dy pedagoge të UNISHK pranohen bashkëudhëheqëse doktorature në Austri

Lajme te tjera

error: Content is protected !!