Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër finalizoi me sukses operacionin e koduar “Lakeside”, duke vënë në pranga dy shtetas të rinj të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Bëhet fjalë për shtetasit Patrik Gjeta, 21 vjeç, dhe Augen Veizi, 20 vjeç, të dy banues në Shkodër, të cilët u kapën në flagrancë në fshatin Shirokë, duke qarkulluar me një automjet. Gjatë kontrollit të mjetit, policia gjeti një sasi kanabisi të ndarë në doza, një armë e ftohtë (thikë) dhe dy celularë.
Operacioni u realizua nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në zbatim të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë dhe goditjen e paligjshmërisë. Sipas hetimeve paraprake, dy të rinjtë dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike në doza në zonën e Shirokës.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme ligjore.



