“Zhdukte emigrantë për 500 euro, bie në pranga 29-vjeçari i kërkuar”

Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër ka finalizuar operacionin policor të koduar “Borders 5”, duke vënë në pranga një 29-vjeçar që ndihmonte emigrantë nga vendet e treta për të kaluar kufijtë në mënyrë të paligjshme, kundrejt pagesës.

Sipas Policisë, në fshatin Vukpalaj, shërbimet e Policisë Kufitare kanë kapur në flagrancë shtetasin O. Ç., 29 vjeç, banues në Fushë-Krujë, teksa transportonte me automjet 3 emigrantë nga Sudani, të cilët synonin të kalonin kufirin me Malin e Zi. Dyshohet se 29-vjeçari paguhej me 500 euro për person për këtë shërbim të paligjshëm.

Gjatë ndërhyrjes, i riu ka tentuar të largohet nga vendngjarja, por pas një ndjekjeje disa minutëshe është ndaluar dhe shoqëruar nga policia. Nga verifikimet e mëtejshme ka rezultuar se ai ishte i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 7, Tiranë, për veprën penale “Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”, pasi ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët, si edhe telefoni celular i 29-vjeçarit.

Policia bën me dije se vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme ligjore.

Home » Kronike » “Zhdukte emigrantë për 500 euro, bie në pranga 29-vjeçari i kërkuar”

Lajme te tjera

error: Content is protected !!