Në vijim të masave ndëshkimore ndaj drejtuesve të automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, Policia e Shkodrës ka referuar materialet në Prokurori për një rast parkimi të gabuar që ka penguar qarkullimin normal të mjeteve.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Shkodrës kanë nisur procedimin penal për shtetasin G. K., 50 vjeç, banues në Shkodër, pasi automjeti i tij ishte parkuar në mënyrë të parregullt, duke bllokuar lëvizjen e mjeteve të tjera në rrugë.
Materialet hetimore janë dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për vijimin e procedurave ligjore.
Ky rast vjen në një periudhë kur Policia ka paralajmëruar masa më të ashpra për shkeljet në trafik, veçanërisht për parkimet abuzive që krijojnë bllokime, rrezik, apo pengesë për qarkullimin normal të automjeteve dhe këmbësorëve. Qëllimi, sipas autoriteteve, është rritja e sigurisë rrugore dhe vendosja e rregullit në akset urbane.


