Tiranë, 26 Dhjetor 2025 – Kontrollime të reja janë kryer këtë të premte në kuadër të hetimeve që lidhen me zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe disa bashkëpunëtorët e saj.
Sipas informacionit zyrtar, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka zhvilluar 19 kontrolle në banesa dhe ambiente pune të zyrtarëve shtetërorë dhe biznesmenëve të përfshirë në dosjen hetimore, që lidhet me tenderat publikë në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë.
Mes personave të kontrolluar janë:
- Viola Haxhiademi, ish-sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe aktualisht drejtore e KESH-it
- Gentian Gjyli, ish-drejtor i ARRSH-së, i pandehur dhe në arrest shtëpie
- Erald Elezi, ish-drejtor i KESH-it, i pandehur dhe në arrest shtëpie
- Sajmir Kuçi
- Marsel Hoxha
- Jonida Çeço
- Sindi Dushku, ish-vartësja e Ballukut
- Kontrollime janë kryer edhe në zyrat e Bashkim Ulajt, Rrok Gjoka dhe Ilir Shtufi
Kontrollet janë pjesë e procesit hetimor për dosjen në të cilën zyrtari më i lartë nën akuzë është Belinda Balluku. SPAK ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit të saj dhe dhënien e lejes për heqjen e lirisë, në kuadër të hetimeve për tenderat publikë të sektorit të infrastrukturës dhe energjisë.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë dokumentacionet dhe materialet e sekuestruara gjatë kontrolleve, me qëllim zbardhjen e plotë të dosjes.


