Shkodër — Zbardhen detaje të reja mbi vdekjen e 67-vjeçarit Hysni Ymeri.I vellai vrau nje njeri, kusheriri -doktorin…

Hysni Ymeri është personi që humbi jetën si pasojë e një shpërthimi të ndodhur në zonën e Perashit në Shkodër. Shkaqet e ngjarjes mbeten ende të paqarta.

OSHEE përjashton energjinë elektrike si shkak të shpërthimit

Burime zyrtare nga OSHEE bëjnë me dije se, sipas verifikimeve paraprake, shpërthimi nuk dyshohet të ketë ardhur nga energjia elektrike, duke argumentuar se fuqia e shpërthimit ka qenë shumë e madhe, ndërkohë që në vendin ku ndodhi eksplozioni ndodhej një panel me mates elektrik me tension deri në 400 volt që teorikisht dhe teknikisht është e pamundur të shkaktojë një shpërthim kaq të fuqishëm.

Grupi i antiterrorit: Nuk janë konstatuar mbetje eksplozivi, priten analizat laboratorike

Grupi i antiterrorit, i cili erdhi nga Tirana, ka kryer këqyrjen e vendngjarjes dhe nuk ka konstatuar me sy të lirë mbetje të lëndëve eksplozive, por ka mbledhur materialet të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike. Analiza kimike është ajo që do të përcaktojë nëse ka pasur apo jo tritol.

Ekspertiza mjeko-ligjore: Vdekja nga energjia elektrike dhe djegia

Nga ana tjetër, ekspertiza mjeko-ligjore në spitalin e Shkodrës pas këqyrjes së trupit të viktimës ka përcaktuar se humbja e jetës e 67-vjeçarit ka ardhur për shkak të energjisë elektrike. Sipas raportit, viktima ka të dëmtuar dorën e djathtë nga kontakti me rrymën, si dhe dëmtime në kokë nga djegia, ndërsa trupi në pjesën tjetër ishte i padëmtuar.

Fakti që dora e djathtë ishte e nxirë nga energjia elektrike dhe jo e majta, e cila ishte në anën e panelit elektrik kur tentoi të ngjitej në pallat, ka bindur grupin mjeko-ligjor që të përcaktojë vdekjen nga kontakti me korentin, duke shtuar edhe djegien nga flakët në kokë.

Deklaratat e familjarëve

Djali i viktimës, Alban Ymeri, deklaroi për policinë se familja nuk ka pasur probleme me askënd dhe nuk ka patur kërcënime. Gjithsesi, hetimet po vijojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të shpërthimit, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë asnjë pistë deri në përfundimin e ekspertizës së plotë. Analiza kimike do të jetë ajo që do të përcaktojë nëse kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale apo kriminale.

Kush ishte Hysni Ymeri

67-vjeçari ishte vëllai i një personi të dënuar me burg për një vrasje të ndodhur shumë vite më parë në Shkodër. Në fillim të viteve ’90 në Kiras është vrarë Shefqet Çekorja nga vëllai i viktimës. Pas asaj ngjarjeje, autori është arrestuar nga policia dhe dënuar nga gjykata. Disa vite më pas, sipas burimeve, dy familjet kanë shtrirë dorën e pajtimit.

Shefqet Çekorja ishte vëllai i Ismet Çekores, i cili u vra në shtator 2022 në afërsi të banesës pas disa deklaratave që bëri pak ditë më parë.

Djali i Hysni Ymerit, i cili jeton jashtë Shqipërisë, kishte ardhur më 25 dhjetor për shkak se nëna e tij vuan nga kanceri dhe mjekët nuk i kishin dhënë shumë kohë për jetën. Edhe sot përpara ngjarjes, ai ndodhej në spital me nënën.

Rrëfimi i ngjarjes së ditës

Pas një kafeje të zakonshme me shokët e lagjes, 67-vjeçari u çua nga lokali për të shkuar në shtëpi dhe më pas në spital tek bashkëshortja. Por sapo hyri në hyrjen e pallatit në katin e parë, ndodhi shpërthimi i fuqishëm. Hysni Ymeri arriti të shkojë gjallë në spital, por ndërroi jetë pak minuta më vonë si pasojë e plagëve të rënda në kokë.

Ngjarje të mëparshme në familje

Disa vite më parë, djali i xhaxhait të Hysni Ymerit vrau bashkëshorten e tij dhe më pas qëlloi edhe vetveten. Ndërkohë një kushëri tjetër, Dritan Ymeri, vrau në 2017 shtetasin Ilir Aliaj, mjek në profesion në Shkodër, pas një konflikti pronësie. Autori arriti t’i shpëtojë policisë dhe dyshohet se ndodhet jashtë Shqipërisë prej asaj kohe.

Hetimet vijojnë

Policia po pret vendimin final të grupit antiterror për të përcaktuar nëse shpërthimi ka pasur apo jo lidhje me lëndë eksplozive, për t’i dhënë më pas orientimin e duhur hetimeve dhe për të ndarë nëse ngjarja është kriminale apo aksidentale.

Home » Kronike » Shkodër — Zbardhen detaje të reja mbi vdekjen e 67-vjeçarit Hysni Ymeri.I vellai vrau nje njeri, kusheriri -doktorin…

Lajme te tjera

error: Content is protected !!