Situatë e vështirë në disa akse rrugore të Malësisë së Madhe, familje të bllokuara në rrugë
Prefekti i Qarkut Shkodër njofton se gjatë orëve të fundit në sallën operative të Policisë së Shkodrës janë marrë një numër i madh telefonatash nga qytetarë, ku raportohet se disa familje, mes tyre edhe fëmijë, kanë mbetur të bllokuara në segmente të ndryshme rrugore për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike.
Sipas informacionit zyrtar, bllokime janë evidentuar në disa akse rrugore, nga zona e Bunit të Bajraktarit deri në zbritje në drejtim të qytetit të Koplikut, ku po bien reshje breshëri të alternuara me dëborë dhe ka nisur formimi i ngricave, duke e vështirësuar ndjeshëm qarkullimin. Mësohet se mbi 200 mjete po tentojnë të lëvizin drejt Koplikut.
Ndërkohë, nga strukturat operacionale në terren bëhet me dije se aksi rrugor Qafë Thore–Bogë është zhbllokuar dhe qarkullimi po vijon normalisht.
Megjithatë, problematika paraqiten edhe në një tjetër segment rrugor malor, pasi aksi Selcë–Qafë Berdelëcit ka vështirësi serioze për shkak të ngricave të shumta dhe disa automjete janë detyruar të kthehen në fshatin Tamare.
Në terren po punojnë shërbimet e Policisë Rrugore dhe mjetet borëpastruese, të cilat janë në koordinim për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë rrugore. Prefekti i Qarkut ndjek nga afër zhvillimet dhe ka kërkuar bashkërendim të menjëhershëm mes institucioneve për normalizimin e qarkullimit.
Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve që të shmangin lëvizjet e panevojshme në akset problematike, të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të ndjekin udhëzimet e policisë. Në rast nevoje, qytetarët ftohen të kontaktojnë menjëherë Policinë e Shtetit ose shërbimet e emergjencave.


