Strukturat operacionale dhe institucionet vendore në Qarkun e Shkodrës vijojnë monitorimin e situatës së motit, për shkak të reshjeve të shiut dhe dëborës të regjistruara gjatë ditës së sotme. Sipas burimeve zyrtare, strukturat e emergjencave civile janë në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të mundshëm.
Në territorin e Bashkisë Shkodër janë shënuar reshje shiu me intensitet të lartë, ndërsa të gjitha kapacitetet janë në angazhim maksimal. Në Bashkinë Vau i Dejës aktualisht nuk raportohen reshje.
Në Bashkinë Malësi e Madhe reshjet e dendura gjatë natës kanë shkaktuar prani uji në disa rrugë të qytetit të Koplikut, por situata po normalizohet gradualisht. Në fshatin Kamicë, Njësia Administrative Qendër, janë evidentuar dëmtime në rrugë për shkak të prurjeve nga Përroi i Thatë, duke vështirësuar përkohësisht qarkullimin në lidhjen Kamicë–Flakë. Strukturat vendore po ndjekin nga afër situatën.
Në Bashkitë Fushë-Arrëz dhe Pukë reshjet e shiut vijojnë, ndërsa në Pukë ato janë shoqëruar edhe me erë të fortë. Deri tani nuk raportohen problematika të theksuara.
Sipas DRUK Lezhë, prurjet në lumenj janë rritur, por nivelet e ujit në Bunë, Drin, Kir, Gjadër dhe Rezervuarin Shtodër mbeten nën kuotat e rrezikut. Hidrovoret e Velipojës janë në gadishmëri.
Sa i përket akseve rrugore, në segmentin Bogë–Theth është regjistruar dëborë në Qafë Thore, ndaj rekomandohet kujdes i shtuar nga drejtuesit e automjeteve. Në aksin Hani i Hotit–Dogana Vermosh ka pasur rënie inertesh, ndërsa grupet e punës po kryejnë pastrimin e rrugës.
Gjithashtu, janë shënuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa njësi administrative të bashkive Shkodër, Vau i Dejës dhe Fushë-Arrëz, ku ekipet e OSHEE po punojnë për rikthimin e furnizimit.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të bashkëpunojnë me strukturat vendore. Monitorimi i situatës do të vijojë në mënyrë të pandërprerë.


