Në Bashkinë Shkodër është zhvilluar një mbledhje e Shtabit të Emergjencave Civile, ku morën pjesë kryebashkiaku Benet Beci, Haki Çako, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, si dhe Prefektja e Qarkut Shkodër, Holta Duda.
Në këtë takim u diskutua situata e gatishmërisë së shtuar si pasojë e prurjeve të mëdha në kaskadën e Drinit dhe reshjeve të pandërprera me intensitet të lartë.
Plan monitorimi dhe ndërhyrjeje të shpejtë
Gjatë mbledhjes u theksua domosdoshmëria e zbatimit të një plani të detajuar monitorimi dhe koordinimi ndërmjet institucioneve, me qëllim parandalimin dhe reagimin në kohë ndaj çdo rreziku të mundshëm.
Autoritetet paralajmëruan se orët në vijim mund të sjellin përkeqësim të situatës, ndaj u bë thirrje banorëve të rrisin kujdesin dhe vigjilencën, veçanërisht në zonat më të ekspozuara ndaj rrezikut hidrik.
Qytetarët të raportojnë çdo emergjencë
Bashkia Shkodër deklaron se, në bashkëpunim me KESH dhe institucionet e tjera përgjegjëse, ndodhet në gatishmëri të plotë për menaxhimin e çdo situate emergjente.
Qytetarët mund të kontaktojnë për çdo rast emergjence në numrin:
📞 069 606 0992
Sipas njoftimit, situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe publiku do të informohet në kohë reale për çdo zhvillim.


