Liderët evropianë dhe Zelensky mblidhen në Paris për garanci sigurie dhe armëpushim të mundshëm me Rusinë

Në ditën e 1.413-të të luftës në Ukrainë, liderë evropianë dhe presidenti i Ukrainës Zelensky u mblodhën në Paris për të diskutuar garancitë e sigurisë dhe një armëpushim të mundshëm me Rusinë. Samiti i Koalicionit të Vullnetmirëve është thirrur nga presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili e cilësoi takimin si “një ditë historike për Kievin dhe për Evropën”. Samiti u mbajt në Pallatin Elysée dhe u zhvillua në një moment kyç, pas kontakteve të fundit mes Zelenskyt dhe Donald Trump, si edhe pas telefonatës mes presidentit amerikan dhe atij rus.

Sipas një draft-deklarate, liderët Vullnetmirë të Europës janë gati të ofrojnë garanci politike dhe juridike detyruese për Ukrainën, të cilat do të aktivizohen pas hyrjes në fuqi të një armëpushimi me Rusia. Dokumenti parashikon që armëpushimi të monitorohet nga Shtetet e Bashkuara, me pjesëmarrjen e vendeve të koalicionit. Një tjetër element i rëndësishëm i draftit është angazhimi amerikan për të mbështetur një forcë shumëkombëshe të udhëhequr nga Evropa, e cila do të dislokohej në Ukrainë pas një marrëveshjeje për ndalimin e luftimeve. Ndër çështjet kryesore që mbeten të hapura në negociatat e mundshme për paqe janë statusi i Donbass-it, garancitë e sigurisë për Kievin dhe fati i centralit bërthamor të Zaporizhjias. Paralelisht, sipas Financial Times, ushtria amerikane pritet të drejtojë monitorimin teknologjik të çdo linje armëpushimi përmes dronëve, satelitëve dhe sensorëve.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se objektivi i koalicionit është ofrimi i garancive të forta të sigurisë për Ukrainën. Sipas saj, anëtarësimi i Kievit në Bashkimin Evropian përbën një garanci thelbësore në vetvete. Ndërkohë, kryeministrja Giorgia Meloni u largua nga Pallati Elysée pas përfundimit të punimeve të samitit, pa dhënë deklarata publike.

Home » Politike » Liderët evropianë dhe Zelensky mblidhen në Paris për garanci sigurie dhe armëpushim të mundshëm me Rusinë

Lajme te tjera

error: Content is protected !!