RAPORTI/ Dyfishohet siperfaqja e tokave nen uje ne Shkoder por nuk rrezikohen banesat

Situata e përmbytjeve në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet përgjithësisht e qëndrueshme dhe nën monitorim të vazhdueshëm, sipas informacionit të përditësuar të datës 10.01.2026, ora 10:00. Krahasuar me një ditë më parë, vihet re një rritje e sipërfaqes së tokës nën ujë, por pa ndikim në banesa apo dëme serioze në infrastrukturë dhe aktivitetet bujqësore.

Sipas të dhënave të sotme, në total janë evidentuar rreth 470 hektarë tokë bujqësore dhe kullota të prekura, nga 221 hektarë që raportohej një ditë më parë. Megjithatë, autoritetet sqarojnë se bëhet fjalë kryesisht për toka të pambjella, kullota dhe zona natyrore shkarkimi.

Në Njësinë Administrative Velipojë, sot raportohen rreth 250 ha tokë bujqësore dhe kullota nën ujë, nga rreth 101 ha që ishte sipërfaqja e përmbytur një ditë më parë. Nuk raportohen dëme në blegtori dhe bletari.

Në Njësinë Administrative Dajç, situata paraqitet me 100 ha tokë bujqësore dhe kullota me ujëra sipërfaqësore, me tendencë përmirësimi, ndërsa një ditë më parë përmbytjet vlerësoheshin në rreth 20 ha, kryesisht në zonën e Pentarit. Gjithashtu, evidentohen 300 ha kënetë Dajç dhe 50 ha kënetë Pentar, zona që shërbejnë si shkarkim natyror dhe nuk ndikojnë në banesa apo toka të punuara.

Në Njësinë Administrative Ana e Malit, sot raportohen rreth 120 ha ujëra sipërfaqësore në parcela të pambjella, ndërkohë që dje sipërfaqja e tokës bujqësore të përmbytur vlerësohej rreth 100 ha, kryesisht në fshatrat Obot dhe Muriqan.

Sa i përket infrastrukturës rrugore, rruga e fshatit Obot vijon të jetë e pakalueshme për mjetet e vogla, një situatë e pandryshuar nga dita e djeshme, kur niveli i ujit mbi rrugë arrinte mbi 40 cm. Megjithatë, banesat në brendësi të fshatit nuk kanë prezencë uji.

Lumenjtë Bunë dhe Drin kanë shënuar sot një rritje të nivelit me rreth 10–20 cm, por mbeten nën kuotat kritike dhe po monitorohen në mënyrë të vazhdueshme. Një ditë më parë, nivelet ishin të kontrolluara, me Bunën në kuotën 8.10 m te Ura e Vjetër dhe Drinin në 7.50 m te Ura e Bahçallëkut, ndërsa në Dajç kuota ishte 6.20 m. Rënia e prurjeve në lumenjtë Kir dhe Gjadër, si dhe mungesa e reshjeve intensive, vijojnë të ndikojnë pozitivisht në stabilizimin e situatës.

Bashkia Shkodër bën me dije se hidrovoret janë në gjendje pune me kapacitet të plotë, veçanërisht hidrovori i Çasit, dhe kanalet kryesore kulluese funksionojnë normalisht. Nuk raportohen banesa me prezencë uji dhe as dëme serioze në infrastrukturë.

Situata vijon të jetë nën monitorim të pandërprerë, me një tendencë të përgjithshme stabilizimi dhe tërheqjeje graduale të ujit nga zonat e prekura.

Home » Aktualitet » RAPORTI/ Dyfishohet siperfaqja e tokave nen uje ne Shkoder por nuk rrezikohen banesat

Lajme te tjera

error: Content is protected !!