IGJEO paralajmëron rrezik përmbytjesh në Shkodër, pritet rritje e niveleve në Drin–Bunë dhe Liqenin e Shkodrës
Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) ka nxjerrë një njoftim zyrtar për rritje të rrezikut nga përmbytjet, ku qarku i Shkodrës renditet ndër zonat më të ekspozuara gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme.
Sipas IGJEO-s, reshjet mesatare deri lokalisht intensive që priten në Shkodër do të sjellin rritje të prurjeve dhe niveleve të lumenjve, veçanërisht në sistemin Drin–Bunë dhe në Liqenin e Shkodrës. Kjo situatë mund të çojë në shtim të sipërfaqeve të përmbytura në zonën e Nënshkodrës, ku historikisht janë shënuar problematika gjatë episodeve me reshje të dendura.
Instituti paralajmëron gjithashtu se mund të ketë vërshime të shpejta të përrenjve dhe lumenjve të vegjël malorë, si dhe rrëshqitje dherash, ndërsa në zonat urbane të Shkodrës nuk përjashtohen përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.
Dëborë dhe ngrica në zonat malore
Në zonat veriore dhe malore të qarkut Shkodër, në lartësitë mbi 600 metra mbi nivelin e detit, reshjet pritet të jenë në formë dëbore. Rënia e temperaturave dhe ngricat mund të krijojnë vështirësi në qarkullimin rrugor, veçanërisht në akset malore.
Parashikimi i motit për Shkodrën
Reshjet: Mesatare deri lokalisht intensive, të shoqëruara me shtrëngata Temperaturat: Zona e ulët: rreth 8–9°C Zona malore: deri në -2°C Era: Mesatare deri e fortë, sidomos në zonat malore
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve, veçanërisht atyre që jetojnë në zonat e ulëta dhe pranë basenit të Drin–Bunës, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të tregojnë kujdes të shtuar në lëvizje.
Njoftimi i plotë i IGJEO-s është publikuar në faqen zyrtare të institutit.


