Procedohen tre persona për dhunë dhe kanosje ndaj një 16-vjeçari në Shkodër
Policia e Shkodrës ka referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj tre shtetasve, të dyshuar për një rast dhune dhe kanosjeje ndaj një të mituri.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për shtetasit S. D., 25 vjeçe, banuese në Shkodër, E. Dh., 44 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Ri, dhe E. F., 27 vjeç, banues në fshatin Golem. Këta shtetas dyshohet se kanë kanosur me fjalë një 16-vjeçar, për motive të dobëta.
Gjatë veprimeve procedurale, policia ka gjetur në posedim të shtetasit E. Dh. një shkop bejzbolli, i cili është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për vijimin e hetimeve dhe veprime të mëtejshme ligjore.


