Goditet rrjeti i kokainës nga Amerika Latine – Arrestohet edhe një shkodran
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zbardhur një rrjet ndërkombëtar të trafikimit të kokainës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë dhe tregut evropian, ku mes të arrestuarve ndodhet edhe një shtetas nga Shkodra.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet në kuadër të procedimit penal nr. 141/1 të vitit 2023 kanë çuar në arrestimin e 7 shtetasve shqiptarë dhe 3 shtetasve të huaj, si dhe në zbulimin e një laboratori të sofistikuar për përpunimin e kokainës në fshatin Qerekë, Fushë Krujë.
Shkodrani i arrestuar
Mes personave të vënë në pranga është edhe:
- Ismail Abdurrahmani, 51 vjeç, banues në Shkodër
Operacion i gjerë dhe laborator i sofistikuar
Gjatë operacionit janë identifikuar gjithashtu ambiente ndihmëse në Tiranë dhe Durrës, ndërsa në laboratorin e zbuluar janë sekuestruar sasi të mëdha materialesh dhe pajisjesh të përdorura për përpunimin e drogës.
Provat e sekuestruara përfshijnë:
- 48 tonë material të papërpunuar (rreth 850 lëkurë gjedhi) ku dyshohet se fshihej kokainë, të importuara nga Amerika Latine në shtator dhe nëntor 2024
- 6.1 kg kokainë
- 36,270 euro, 357,046 lekë dhe 57 milionë peso kolumbiane (rreth 12,200 euro)
- 89.5 kg përzierës të ngurtë dhe 50 kg solucion të lëngshëm për përpunimin e kokainës
- Pajisje laboratorike si presa, aceton, epruveta, preparate kimike, mikrovalë, llampa nxehtësie dhe materiale paketimi
- 22 telefona celularë, 2 laptopë, 7 karta banke, 17 karta SIM
- 3 automjete dhe dokumente të rëndësishme
Të arrestuarit shqiptarë
- Geis Fejsullai, 42 vjeç – Tiranë
- Klajdi Birçe, 40 vjeç – Tiranë
- Artion Caushllari, 37 vjeç – Tiranë
- Endi Sejdini, 25 vjeç – Krujë
- Aldi Zonja, 37 vjeç – Tiranë
- Ismail Abdurrahmani, 51 vjeç – Shkodër
- Baki Huqi, 57 vjeç – Durrës
Shtetas të huaj të arrestuar
- Hiwlen Ledezma Narvaez, 41 vjeç – Kolumbi
- Joze Ramon Zacarias Vasquez, 35 vjeç – Venezuelë
- Samuel Alfonso Moreno Serrano, 42 vjeç – Venezuelë
Si funksiononte rrjeti kriminal
Nga hetimet rezulton se grupi vepronte si një rrjet i mirëorganizuar ndërkombëtar, në bashkëpunim me organizata kriminale në Amerikën Latine. Kokaina fshihej në lëkurë gjedhi të kriposur, transportohej drejt Shqipërisë dhe më pas nxirrej në laborator për t’u përpunuar dhe trafikuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Një rol kyç në këtë skemë kishin ekspertët nga Kolumbia dhe Venezuela, të cilët garantonin përpunimin teknik të kokainës, ndërsa shtetasit shqiptarë mbulonin financimin, logjistikën, transportin dhe shpërndarjen.
Hetimi, i cili ka zgjatur më shumë se një vit, është udhëhequr nga SPAK dhe BKH, në bashkëpunim të ngushtë me agjenci ligjzbatuese vendase dhe ndërkombëtare, duke u cilësuar si një nga goditjet më të forta ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës në Shqipëri.


