Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka prezantuar përmes një postimi në rrjetet sociale projektligjin e ri “Për Policinë Bashkiake”, duke e cilësuar atë si një vizion të ri për ndërtimin e një strukture më profesionale dhe më efikase në shërbim të qytetarëve.
Sipas Koçiut, në qendër të këtij projektligji janë përmirësimi i shërbimeve dhe rritja e sigurisë publike, përmes forcimit të rolit të strukturave vendore dhe rritjes së kapaciteteve të tyre operative. Nisma, pas përfundimit të procesit të konsultimit publik, pritet të diskutohet në Këshillin Konsultativ me pushtetin vendor.
Ministrja bëri me dije se projektligji parashikon një organizim të ri të Policisë Bashkiake në dy nivele: qendror dhe vendor, me qëllim vendosjen e standardeve të njëjta profesionale dhe funksionale në të gjitha bashkitë e vendit.
Sipas saj, niveli qendror do të ketë përgjegjësi për përcaktimin e standardeve kombëtare, koordinimin e punës së drejtorive vendore si dhe garantimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Ky nivel do të ushtrojë një rol mbështetës dhe koordinues, pa cenuar autoritetin e njësive të vetëqeverisjes vendore.
Ndërkohë, niveli vendor do të vijojë të ketë autoritet të plotë në terren, me kompetenca të shtuara, duke synuar ofrimin e shërbimeve më cilësore, më të shpejta dhe më efektive për komunitetin.
“Përmes këtij vizioni të ri, synohet ndërtimi i një Policie Bashkiake më profesionale, më të besueshme dhe më pranë qytetarëve, si një komponent i rëndësishëm në arkitekturën e sigurisë publike dhe mirëqeverisjes vendore”, theksoi ministrja Koçiu.


