Gara koncesionare për ndërtimin e aksit rrugor Milot–Balldre është përmbyllur pa asnjë ankesë lidhur me dokumentet e tenderit, duke i hapur rrugë tashmë shqyrtimit të ofertave të paraqitura nga kompanitë konkurruese. Në total, tre kompani kanë shfaqur interes për këtë projekt strategjik.
Nëse edhe kjo fazë përfundon me sukses, hapi i radhës do të jetë nënshkrimi i kontratës me kompaninë fituese dhe më pas nisja e punimeve për ndërtimin e këtij segmenti të rëndësishëm, pjesë e Korridorit Adriatiko–Jonian.
Koncesioni ka si qëllim përzgjedhjen e një operatori privat që do të ndërtojë dhe administrojë rrugën, një proces që, sipas dokumenteve të tenderit, parashikohet të zgjasë 30 muaj nga momenti i nënshkrimit të kontratës.
Sipas të dhënave zyrtare, vlera totale e projektit arrin në rreth 365 milionë euro (pa TVSH), ndërsa kohëzgjatja e kontratës është përcaktuar në 35 vjet. Kjo shumë përfshin kostot për projektimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës, e cila do të kalojë nga kategoria C në autostradë të kategorisë A.
Aksi Milot–Balldre, me gjatësi rreth 17 kilometra, nis në nyjen e Milotit, ku lidhet me segmentet Milot–Thumanë–Kashar–Lekaj dhe Rrugën e Kombit, ndërsa përfundon në Balldre, në rrugën ekzistuese Tiranë–Shkodër.
Ky projekt është pjesë e Korridorit Adriatiko–Jonian, i cili është përfshirë në rrjetin kryesor të transportit TEN-T të Bashkimit Europian, duke e shtrirë këtë infrastrukturë strategjike edhe në Ballkanin Perëndimo


