Policia e Shkodrës ka zhvilluar një sërë operacionesh gjatë 24 orëve të fundit, duke vënë në pranga dhe proceduar disa shtetas të dyshuar për vepra penale që lidhen me dhunën, kanosjen dhe konfliktet në komunitet.
Arrestimi i një 22-vjeçari të shpallur në kërkim
Në fshatin Trush, u arrestua Emiljano Malocaj, 22 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim pas vendimit të Gjykatës së Shkodrës që i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”. Ai akuzohet për mbajtje pa leje të armëve, kanosje dhe prishje të qetësisë publike.
Dhunë në familje në Malësinë e Madhe
Shërbimet e Policisë Malësi e Madhe ndaluan Pllumb Murçajn, 49 vjeç, banues në Omaraj, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.
Tre të rinj të proceduar për konflikt fizik me një 21-vjeçare
Në një tjetër rast, policia procedoi penalisht 3 të rinj të përfshirë në një konflikt fizik me një 21-vjeçare, për motive të dobëta. Të proceduarit janë:
- M. L., 21 vjeçe, nga Rragami
- A. H., 19 vjeç, nga Shkodra
- A. H., 21 vjeç, nga Shkodra
Ngacmime dhe thirrje shqetësuese në Vau-Dejës
Specialistët e Policisë Vau Dejës proceduan penalisht shtetasit:
- D. P., 37 vjeç
- P. V., 33 vjeçe
të cilët dyshohet se kanë kryer thirrje të përsëritura dhe shqetësuese ndaj një 32-vjeçareje.
Materialet për të gjitha rastet janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, e cila po vijon hetimet për veprime të mëtejshme procedurale.


