Balla përmes një postimi në rrjetet sociale thekson se të mërkurën e ardhshme bëhen 15 vite nga ngjarja e rëndë e 21 Janarit, ndërsa institucionet e drejtësisë, veçanërisht Prokuroria e Posaçme, pritet të zbatojnë vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.
Sipas Ballës, Kuvendi i Shqipërisë nuk ka hyrë asnjëherë në meritën apo përmbajtjen e dosjeve penale, por ka përgjegjësi kushtetuese për kontrollin e zbatimit të vendimeve të GJEDNJ-së, në respekt të shtetit të së drejtës dhe të kujtesës për viktimat e 21 Janarit.
Në 21 janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua përpara Kryeministrisë u vranë katër qytetarë: Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedaj.
Në 14 nëntor 2023, Gjykata e Strasburgut doli në përfundimin se 21 Janari ishte krim shtetëror dhe duhej të hetohej si i tillë nga drejtësia shqiptare.
Në korrik 2024, Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin.
Hetimet për 21 Janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, që prej më shumë se një dekadë kërkojnë drejtësi për vrasjen e djalit të tyre, ndërkohë që është e vetmja vrasje pa autor në atë ngjarje.


