Banorët e komunitetit egjiptian përtej Urës së Bunës kundërshtojnë zhvendosjen: “Nuk largohemi nga shtëpitë tona!”

Banorët e komunitetit egjiptian që jetojnë përtej Urës së Bunës kanë reaguar me shqetësim dhe kundërshtim ndaj mundësisë së zhvendosjes së tyre, si pjesë e një projekti për rregullimin e hyrjes turistike të qytetit të Shkodrës.

Sipas tyre, ky projekt rrezikon të cënojë të drejtat e tyre për banim dhe të prishë jetesën që kanë ndërtuar ndër vite në këtë zonë. Banorët kërkojnë transparencë dhe përfshirje në vendimmarrje, duke theksuar se nuk janë informuar zyrtarisht për hapat që priten të ndërmerren.

“Jetojmë këtu prej vitesh, kemi ndërtuar shtëpitë tona me shumë mundim. Askush nuk ka ardhur të na pyesë, vetëm dëgjojmë fjalë që do të na largojnë,” tha një prej banorëve, i shqetësuar për të ardhmen e familjes së tij.

Komuniteti ngre gjithashtu shqetësime për mungesën e alternativave të qarta për strehim dhe mbështetje sociale në rast zhvendosjeje, duke theksuar se çdo projekt zhvillimi duhet të respektojë të drejtat themelore të banorëve lokalë.

Autoritetet lokale nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare lidhur me këtë çështje, por burime pranë bashkisë bëjnë të ditur se projekti është ende në fazë planifikimi dhe do të konsultohet me komunitetin në vijim.

Ndërkohë, banorët shprehen të vendosur të mos largohen pa një zgjidhje të drejtë dhe dinjitoze.


Lajme te tjera

error: Content is protected !!