Bashkia e Lezhës ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2026, ndërsa ka vijuar konsultimet publike me qytetarët dhe grupet e interesit. Duke iu referuar parashikimeve për vitin e ardhshëm, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, bëri të ditur se buxheti i përgjithshëm do të arrijë në 2.5 miliardë lekë, nga 1.27 miliardë lekë që ishte në vitin 2019. Po ashtu, janë rritur ndjeshëm të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore, të cilat nga 600 milion lekë në vitin 2019, kanë arritur në 1.5 miliardë lekë.
Në sektorin e bujqësisë, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet sistemeve të kullimit dhe vaditjes, me ndërhyrje thelbësore për hapjen e kanaleve kulluese, me synim eleminimin e përmbytjeve. Ndërkohë, turizmi mbetet një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik, ku janë planifikuar investime për rehabilitimin e zonave bregdetare, përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.


