Bashkia Shkodër është bërë përfituese e dy projekteve të Bashkimit Evropian, duke rikthyer pas shumë vitesh mungese investimet e huaja në territorin e saj.
Fondet e programit IPA përfshijnë projektet “REUSEFUL” dhe “TERRITORY”, të cilat janë miratuar edhe nga anëtarët e Këshillit Bashkiak në mbledhjen e fundit.
Drejtori i Përgjithshëm Ii Zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Bashkinë Shkodër, Bekim Mema, në një prononcim për mediat, tha se fitimi i këtyre dy projekteve është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e bashkisë dhe rezultat i një pune të vazhdueshme të stafit teknik.
Sipas tij, këto iniciativa jo vetëm që sigurojnë fonde të reja për investime, por forcojnë besueshmërinë e Bashkisë Shkodër tek partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet evropiane.Projekti “REUSEFUL” synon të promovojë reduktimin e mbetjeve dhe praktikat e ripërdorimit, përmes ngritjes së qendrave të posaçme ku mobiliet, pajisjet elektronike dhe veshjet e përdorura do të mblidhen, riparohen dhe rishpërndahen.Këto qendra do të ndihmojnë në uljen e fluksit të mbetjeve, reduktimin e kostove të menaxhimit dhe mbështetjen e shtresave me të ardhura të ulëta, duke krijuar një model të ri social e mjedisor për qytetin.
Ndërsa projekti “TERRITORY” ka për qëllim forcimin e kapaciteteve për menaxhimin e fatkeqësive në rajonin e Adriatikut Jugor – Itali, Shqipëri dhe Mal i Zi – përmes përdorimit të teknologjisë së dronëve (UAS) dhe Inteligjencës Artificiale (IA). Ky sistem inovativ do të mundësojë monitorimin në kohë reale të terreneve të vështira, analizën e rreziqeve mjedisore, si dhe mbështetjen e operacioneve të kërkim-shpëtimit në situata emergjente.
Përmes këtyre dy projekteve, Bashkia Shkodër rikonfirmon angazhimin e saj në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm, përmirësimit të shërbimeve dhe forcimit të partneriteteve ndërkombëtare.


