Shqipëria ka shprehur interes të lartë për të rekrutuar punëtorë të kualifikuar dhe gjysmë të kualifikuar nga Bangladeshi, për të përmbushur nevojat në rritje të tregut të saj të punës. Këtë gjë ka kërkuar presidenti Bajram Begaj, gjatë një takimi që pati me kryeministrin e qeverisë teknike të Bangladeshit, Muhammad Yunus, në kuadër të punimeve të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që po zhvillohet në New York, sipas mediave të Bangladeshit. ”Na duhen punëtorë për vendin tonë dhe disa kompani shqiptare kanë paraqitur tashmë kërkesat për të punësuar qytetarë nga Bangladeshi”,-u shpreh presidenti Begaj.
Ai theksoi se bashkëpunimi dypalësh mund të zgjerohet më tej, veçanërisht në sektorin e turizmit, duke nënvizuar potencialin e rivierës shqiptare si një destinacion tërheqës për vizitorët nga Bangladeshi, sipas zëdhënësit për shtyp të Kryeministrit në detyrë, Muhammad Yunus. Ky i fundit mirëpriti iniciativën, duke theksuar se Bangladeshi me fuqinë punëtore në moshë të re dhe dinamike, është i gatshëm të kontribuojë në rritjen ekonomike të Shqipërisë.