SPAK ka përmbyllur hetimet për vrasjen e Fatbardh Licit, ngjarje e ndodhur në Shkodër në vitin 2018, dhe ka dërguar për gjykim katër të pandehur, të akuzuar për përfshirje në ekzekutimin e tij dhe në veprimtari të strukturuar kriminale.
Të pandehurit e dërguar për gjykim
Sipas njoftimit zyrtar, përpara Gjykatës së Posaçme do të përgjigjen:
- Behar Brajoviq, i akuzuar për “Vrasje me paramendim” për hakmarrje, kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal; “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.
- Safet Rustemi, i akuzuar për të njëjtat vepra penale në bashkëpunim.
- Astmer Bilali, i akuzuar si ekzekutori i drejtpërdrejtë i vrasjes së Fatbardh Licit.
- Eria Ago, e akuzuar për “Përkrahjen e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar autorët pas ngjarjes.
Rrethanat e ngjarjes
Procedimi penal nr. 112/2019 lidhet me një seri konfliktesh të brendshme kriminale në Shkodër, të zhvilluara gjatë vitit 2018. Hetimet zbuluan se mes të pandehurve dhe familjes Lici kishte një konflikt të hershëm për kontrollin e territorit, i shoqëruar me disa ngjarje të rënda kriminale.
Pas vrasjes së çiftit Boran Bërcana – Silvi Ndoci në korrik 2018, e cila u atribuua nga Behar Brajoviq nipit të viktimës, Ibrahim Licit, situata u përshkallëzua.
Në këtë kontekst, më 10 gusht 2018, sipas SPAK, Behar Brajoviq organizoi ekzekutimin e Fatbardh Licit, në bashkëpunim të ngushtë me Safet Rustemin dhe Astmer Bilalin.
Bilali, i konsideruar si ekzekutori, zbriti nga një automjet i vjedhur tip “Benz”, me targa AA 760 FX, dhe qëlloi me armë zjarri drejt Licit, i cili ndodhej i ulur jashtë lokalit të vëllait të tij në lagjen “Salo Halili”. Lici humbi jetën menjëherë.
Pas atentatit, autorët u larguan drejt zonës së Dobraçit, ku mjeti u dogj për të zhdukur provat. Rustemi qëndroi në Shkodër, ndërsa Bilali u largua drejt Tiranës, i shoqëruar nga Eria Ago, e dyshuar për përkrahje pas krimit.
Procedurat e mëtejshme
Me përfundimin e hetimeve, SPAK ka dorëzuar kërkesën për gjykim në Gjykatën e Posaçme, ndërsa të pandehurit do të përballen me akuza të rënda që lidhen me vrasje, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Procesi gjyqësor pritet të nisë në javët në vijim.


