Qeveria miraton rritjen e përvitshme të pensioneve, bonus fundviti për 750 mijë pensionistë
TIRANË – Qeveria i ka përcjellë Kuvendit projektbuxhetin për vitin 2026, ku ndër të tjera parashikohet bonus fundviti për 750 mijë pensionistë, që do të përfitojnë nga 100 deri në 150 euro, si dhe rritje mujore të pensioneve duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm.
Në një komunikim përmes rrjeteve sociale, kryeministri Edi Rama deklaroi se ky do të jetë “mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve”, ashtu siç ishte premtuar gjatë fushatës elektorale.
“Jam i lumtur sot t’u them pensionistëve se, mu ashtu siç u zotuam në zgjedhje, ky mandat do të jetë mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve.
Siç e kam thënë gjithnjë, kjo është pjesa më e vështirë e politikës financiare të një vendi, por më në fund, sepse kemi një ekonomi të qëndrueshme që rritet çdo vit, mund ta bëjmë atë për të cilën u zotuam,” – u shpreh Rama.
Rritje mujore e pensioneve nga janari 2026
Sipas kreut të qeverisë, pensionet do të rriten çdo muaj, përtej indeksimit vjetor, në varësi të kategorisë përkatëse.
Rritjet do të jenë si më poshtë:
- Pensioni urban: +1,800 lekë çdo muaj
- Pensioni urban i pjesshëm: +800 lekë çdo muaj
- Pensioni rural: +1,000 lekë çdo muaj
- Pensioni familjar: +700 lekë çdo muaj
- Pensioni i invaliditetit: +600 lekë çdo muaj
Objektivat deri në vitin 2029
Qeveria ka parashikuar që deri në vitin 2029, pensionet të arrijnë nivele të reja mesatare si më poshtë:
- Pensioni mesatar urban: 40,000 lekë (nga 27,350 lekë aktualisht)
- Pensioni urban i pjesshëm: 22,000 lekë (nga 15,850 lekë)
- Pensioni rural: 18,000 lekë (nga 11,500 lekë)
- Pensioni familjar: 18,000 lekë (nga 11,400 lekë)
- Pensioni i invaliditetit: 30,000 lekë (nga 20,000 lekë)
Rritje e përshkallëzuar deri në katërfishim
Rama theksoi se rritja do të vijojë progresivisht në vitet pasuese, me një dyfishim në vitin 2027, trefishim në 2028 dhe katërfishim në 2029, sipas objektivave të përcaktuara në programin qeveritar.
“Në vitet në vijim, të njëjtat shifra do të dyfishohen për secilën kategori në 2027, do të trefishohen në 2028 dhe do të katërfishohen në 2029, për të arritur vlerën e premtuar në qershor të këtij viti, ku shqiptarët na dhanë 83 mandate. Ky jam unë, këta jemi ne. Them atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi,” – deklaroi kryeministri.


