Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në fshatin Sektor të Velipojës, ku një qytetar ka bërë një kallëzim të rrallë në Komisariatin e Policisë Shkodër.
Sipas burimeve zyrtare, më datë 18 korrik 2025, shtetasi E. N., 44 vjeç, banues në Shkodër, ka kallëzuar se në banesën ku jetojnë vetëm prindërit e tij, është vendosur një kurorë me lule në pjesën e jashtme të portës, mbi kangjella.
Kurora, zakonisht e përdorur në ceremoni mortore, është interpretuar nga familjarët si një simbol ogurzi, duke ngjallur shqetësim dhe dyshime për një mesazh të qëllimshëm.
Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e këtij rasti të pazakontë, si dhe për të identifikuar autorin apo autorët që kanë vendosur kurorën në portën e familjes.