Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen më 20 gusht, në orën 11:00, për të vazhduar seancën konstituive të legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Vazhdimi i seancës vjen pasi më 18 gusht ka nisur rrjedhja e afatit 30-ditor për konstituimin e organit ligjvënës.
Kjo, pasi Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin e plotë, përmes së cilit ka urdhëruar Kuvendin që brenda 30-ditësh të zgjedhë kryeparlamentarin e ri përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.
Vendimi është mirëpritur nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, por është kritikuar nga fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.
Zahir Çerkini, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se aktgjykimi nënkupton se vonesat e mëtejshme në konstituimin e Kuvendit nuk janë vetëm çështje politike, por paraqesin edhe shkelje të normave kushtetuese që garantojnë funksionimin e shtetit.
“Respektimi i aktgjykimeve të Gjykatës nuk është një opsion që aktorët politikë mund ta zgjedhin ose jo, por një obligim i domosdoshëm. Çdo veprim i kundërt do t’i minonte themelet e shtetit ligjor dhe do të rrezikonte të prodhonte krizë të thellë institucionale”, deklaroi ai për REL-in më 18 gusht.
Në aktgjykim nuk përmenden pasoja konkrete nëse Kuvendi dështon ta respektojë vendimin, por, sipas Çerkinit, “atëherë kemi një situatë të re kushtetuese që kërkon qartësim institucional”.
“Në një rast të tillë, është e pritshme që presidentja ose ndonjë subjekt tjetër i autorizuar ta rikthejë çështjen në Gjykatën Kushtetuese për interpretim shtesë mbi hapat e mëtejmë”, tha ai.
“Idetë se vendi duhet të shkojë automatikisht në zgjedhje në këtë fazë, nuk kanë mbështetje kushtetuese. Kushtetuta parashikon zgjedhje të reja vetëm pasi Kuvendi të jetë konstituuar dhe të realizohet një nga rrethanat kushtetuese të përcaktuara për shpërndarjen e tij”, shtoi Çerkini.
Sipas Çerkinit, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare Albulena Haxhiu, mund të propozohet sërish për kryetare të Kuvendit.
“Megjithatë, kjo duhet të bëhet duke respektuar kufijtë dhe udhëzimet që tashmë i ka përcaktuar aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese”.