Deputetja e Qarkut të Shkodrës, Xhenis Çela, i ka kërkuar Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) të përqendrojë më shumë vëmendje dhe investime në pasuritë historike dhe kulturore të qytetit.
Gjatë një takimi institucional, Çela ngriti shqetësimin për gjendjen e disa prej monumenteve historike në Shkodër, si dhe për mungesën e projekteve konkrete për restaurimin dhe promovimin e tyre. Ajo theksoi se trashëgimia kulturore e qytetit përbën një aset të çmuar për zhvillimin e turizmit kulturor dhe ekonomik në rajon.
“Shkodra ka një potencial të jashtëzakonshëm kulturor dhe historik që ende nuk po shfrytëzohet si duhet. Është e domosdoshme që IKTK të ndërhyjë me projekte konkrete dhe të qëndrueshme, jo vetëm për ruajtjen e trashëgimisë sonë, por edhe për ta kthyer atë në një burim zhvillimi për komunitetin,” deklaroi deputetja.
Ajo gjithashtu bëri thirrje për një strategji të qartë promovimi dhe përfshirjeje të aktorëve lokalë në këtë proces, me qëllim që trashëgimia kulturore e Shkodrës të zërë vendin që i takon në hartën turistike të Shqipërisë.


