Ende mbetet i paqartë motivi i vendosjes së lëndës shpërthyese në Shkodër, ngjarje e rëndë në të cilën humbi jetën 67-vjeçari Hysni Ymeri. Si autor i dyshuar i vendosjes së tritolit akuzohet Gerti Bushati, i cili dyshohet se ka vendosur lëndën shpërthyese në boksin e sahatëve të energjisë elektrike të pallatit ku banonte viktima.
Bushati është identifikuar nga policia përmes pamjeve të kamerave të sigurisë të një biznesi pranë pallatit. Sipas këtyre pamjeve, mbrëmjen e 27 dhjetorit, ai shihet duke vendosur lëndën shpërthyese në sahatin elektrik të katit të parë të pallatit.
Lënda shpërthyese është aktivizuar dy ditë më vonë, më 29 dhjetor 2025, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të 67-vjeçarit. Shpërthimi ka ndodhur në momentin kur Hysni Ymeri po ngjitej shkallët për të hyrë në banesën e tij.
Pas hetimeve dhe analizimit të disa kamerave të tjera të sigurisë, policia ka arritur të rindërtojë itinerarin e lëvizjes së autorëve, çka ka çuar në arrestimin e katër personave:
- Gerti Bushati
- Ergys Ibrahimi
- Edison Hasaj
- Gjergji Zefi
Policia bën me dije se ende nuk është zbuluar motivi i porositjes së vrasjes së 67-vjeçarit. Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar 28 telefona celularë, një automjet “Mercedes-Benz”, municion, lëndë narkotike (kokainë), pajisje GPS, kamera sigurie dhe rroba të përdorura nga autori i dyshuar.
Ndërkohë, Report TV ka raportuar më herët për një histori gjakmarrjeje që lidhet me familjen e viktimës. Në vitin 1995, në lagjen Kiras, vëllai i Hysni Ymerit vrau Shefqet Çekorjen, për çka u arrestua dhe u dënua. Disa vite më vonë, sipas burimeve, dy familjet arritën pajtimin.
Shefqet Çekorja ishte vëllai i Ismet Çekores, i cili u vra në shtator të vitit 2022 pranë banesës së tij.
Pak ditë para ekzekutimit të Hysni Ymerit, në Shkodër kishte ardhur edhe djali i tij, i cili jeton jashtë Shqipërisë. Ai i ka deklaruar policisë se familja nuk kishte konflikte dhe se nuk kishte marrë asnjë kërcënim.
Gjatë marrjes në pyetje në Policinë e Shkodrës, të arrestuarit nuk kanë pranuar të japin deklarime. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se të ndaluarit janë lënë së bashku në një ambient të monitoruar, me qëllim identifikimin e porositësit të tritolit, i cili deri më tani mbetet ende mister.
Të arrestuarit pritet të njihen me masën e sigurisë gjatë ditës së hënë.


