Pavlin Preka ishte 19 vjeç kur u vra në banesën e tij, më 26 shkurt 2025, në fshatin Guci e Re, në Shkodër.
Ai ishte i dashuruar marrëzisht pas një vajze 13-vjeçare, për të cilën kërkonte miratimin e familjes së saj që të martoheshin.
Emisioni “Në Shënjestër” transmetoi këtë të martë detaje nga dosja hetimore, ku sipas informacioneve nga njerëzit e afërt të viktimës, gjatë kontrollit të parë në vendngjarje, në afërsi të trupit të viktimës, u gjetën 6 gëzhoja arme zjarri, pistoletë model 9 mm.
Nga këqyrja e parë e vendit të ngjarjes, 19-vjeçari ishte qëlluar me disa plumba pistolete nga afër, me të hyrë në banesën e tij.
Gjë që la të kuptohej nga ekspertët kriminalistë se ai ishte ruajtur deri në mbërritjen e tij në banesë.
Ose dikush kishte informuar me saktësi qitësin për lëvizjet e viktimës dhe faktin që ai kishte marrë rrugën për në shtëpinë e tij.
Por për grupin hetues, vrasja e këtij të riu kishte një motiv të paqartë.
Kjo për faktin se ai nuk ishte skeduar dhe nuk kishte një të shkuar apo të tashme kriminale. Madje, nuk njihej në zonë as si kontingjent që merrej me kultivimin e lëndëve narkotike.
I pari që u pyet në lidhje me krimin ishte xhaxhai i viktimës, Nikollë Preka, i cili kishte banesën ngjitur me atë të vëllait të tij, ku aktualisht jetonte Pavlini.
Ai, sapo dëgjoi krismat, vrapoi i pari për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe gjeti të vrarë nipin e tij në pragun e derës.
“Familjarët e Pavlinit jetojnë në fshatin Gjuraj-Plan, në njësinë Administrative Pult, Bashkia Shkodër. Unë e kam banesën ngjitur me atë të Pavlinit. Kur shkova për të parë se kush ishte në banesë, pashë që dera ishte hapur. Aty pashë Pavlinin të shtrirë në tokë”, ka deklaruar në polici xhaxhai i viktimës.
Nikollë Preka tha më tej se, si xhaxha i viktimës, nuk kishte asnjë informacion se kush mund të ishin autorët e vrasjes së nipit të tij.
Por ai sigurisht që e dinte shumë mirë se kush ishin personat me të cilët shoqërohej djali i vëllait të tij. Kjo edhe për faktin se fshati ishte i vogël dhe çdo lëvizje aty ishte e ditur.
Pikërisht një nga këta persona ishte edhe Klaudio Lisaj, shok i ngushtë me Pavlinin, të cilët shiheshin pothuajse gjithmonë bashkë në fshat dhe jashtë tij, në shoqërinë e njëri-tjetrit. Një përditshmëri të cilën e njihnin të gjithë.
Këtu fillon dhe merr rrjedhë një tjetër histori, aq sa e komplikuar, por edhe e vështirë për t’u kuptuar.
Ajo se si viktimës, Pavlin Preka, i kishte rënë në kokë për një vajzë disa vite më të vogël se vetja, e cila në fakt ishte vajza e dajës së Klaudio Lisajt, shokut me të cilin ai shoqërohej pothuaj çdo ditë të jetës së tij në fshat.
Pavlini nuk e kishte lënë me kaq sevdanë e tij për vajzën që e kishte marrosur, por bashkë me xhaxhain e tij, Nikollën, kishin shkuar edhe t’i kërkonin dorën.
“Rreth dy vite më parë, nipi im Pavlini më tha se pëlqente një vajzë nga Pogu dhe më kërkoi që të shkonim t’ia lypnim dorën. Unë pranova dhe bashkë me Pavlinin shkuam te familja e vajzës, babai i së cilës është Vasel Koçeku, ku qëndruam rreth një orë”, ka vijuar në deklaratën e tij xhaxhai i Pavlin Prekës.
Sipas rrëfimit të xhaxhait të viktimës, babai i vajzës, të cilës ai nuk ia mbante mend emrin, edhe pse i priti mirë, nuk u dha një përgjigje atë ditë. Por ai zgjodhi t’i përcillte duke u thënë se, për mirë apo për keq, do t’u çonte haber së shpejti nëpërmjet personave të tjerë.
Lajmi nuk vonoi të vijë, por nuk i la aspak të kënaqur kërkuesit, të cilët prisnin një sihariq ndryshe, të gëzueshëm. Gjë që, sipas xhaxhait të tij, pezmatoi më së shumti vetë Pavlinin.
“Në atë kohë Pavlini ka qenë rreth 18 vjeç. Pasi u larguam, ata na dërguan fjalë se nuk kishin asgjë kundër nesh si familje dhe si miq, ‘por vajza është e vogël’. Për këtë arsye e mbyllëm si muhabet dhe nuk shkuam përsëri”, u shpreh në polici Nikollë Preka.
Por ndërsa xhaxhai thotë se e mbylli këtë bisedë, kjo nuk ndodhi me Pavlinin, i cili mesa duket nuk kishte ndërmend të hiqte dorë kaq kollaj nga vajza që dashuronte.
Ndërkohë, nga sa kuptohet, ai nuk i kishte thënë as babait të tij për faktin që dashuronte një vajzë dhe kërkonte të martohej me të. Ashtu sikurse del se nuk e kishte njoftuar as për faktin që do shkonte bashkë me xhaxhain e tij t’i kërkonte dorën.
“Më datë 26 shkurt 2025, rreth orës 10:30, Pavlini më mori në telefon dhe më tha se do ta grabiste vajzën e Vaselit. Unë i thashë të ruhej, por ai më tha se do t’i rregullonte vetë punët e tij”, thuhet në dëshminë e vëllait të Pavlin Prekës, Alfonsit.
Nga sa kuptohet, familja e Pavlinit ishte tashmë në dijeni të planit për ta rrëmbyer vajzën.
Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse edhe vajza ishte dakord me këtë plan apo nëse Pavlini po e ndërmerrte këtë nismë pa dijeninë dhe dëshirën e saj.
Sipas dëshmive, Pavlini kishte shkuar edhe herë të tjera për të kërkuar dorën e vajzës, kishte shkruar emrin e saj nëpër fshat, madje kishte bërë edhe tatuazh emrin e saj në qafë.
Një ditë, pranë vendit të quajtur “Ura e Beut”, afër banesës së Pavlinit, ishte shkruar në asfalt “A***** Love”, shprehje që sipas dëshmisë i atribuohej atij.
Por pavarësisht kundërshtimeve, Pavlini nuk hoqi dorë nga planet e tij, të cilat i shprehte hapur edhe në prani të kushërinjve të vajzës.
/Në Shënjestër/
M


