Dubrovniku i mbytet në mbeturina, shqiptari fajësohet për ndotjen: plazhet e famshme të shndërruara në “deponi” pas një nate
Plazhet dhe porti i Dubrovnikut, një prej destinacioneve më të famshme turistike në Kroaci dhe në botë, janë zhytur nën një shtresë të madhe mbeturinash plastike, të sjella nga deti brenda natës. Pamjet tronditëse u dokumentuan nga një banor i zonës, duke ndezur debat të madh publik dhe diplomatik, pasi shumica e mbeturinave dyshohet se vijnë nga Shqipëria.
Dubrovniku, i njohur për bukuritë e tij mesdhetare dhe si skenë e xhirimeve të “Game of Thrones”, prej ditësh ngjan më shumë me një landfill, sesa me një perlë turistike të Adriatikut. Mijëra shishe plastike, qese dhe ambalazhe njëpërdorimshe janë grumbulluar në plazhin Banje dhe në portin e vjetër Porat.
Sipas mediave kroate, banori Ivuša Brajević publikoi fotot e para në rrjetet sociale, ku shkruante:
“Përshëndetje nga Shqipëria… deti është mbuluar i gjithi me mbeturina. Plazhet janë plot.”
Punonjësit e portit shihen duke mbledhur mbeturina me qese të mëdha, ndërsa përpiqen të hapin rrugë mes një “deti plastike”.
Kryebashkiaku i Dubrovnikut fajëson hapur Shqipërinë
Problemi, thonë banorët, përsëritet çdo vit, sidomos në nëntor, kur era juglindore sjell sasi të mëdha mbeturinash.
Kryebashkiaku i Dubrovnikut, Mato Franković, deklaroi për gazetën Jutarnji:
“E dimë nga vjen ky mbeturinë. Ministria jonë e Jashtme prej kohësh është në bisedime me Shqipërinë. Pastrimi nuk është zgjidhje, dëmton qytetin dhe mjedisin. Duhet ndalur në burim.”
Ai paralajmëroi se Kroacia po paguan vetë për pastrimin, ndërsa mbeturinat vijnë nga jashtë kufijve të saj.
Banorët kroatë shkojnë edhe më tej:
“Kushedi sa herë ndodh kjo… ndoshta ka ardhur koha t’u dërgohen shqiptarëve faturat,” – shkruan një komentues i cituar nga Jutarnji List.
Problemi kap gjithë bregun – kërkohet bashkëpunim ndërkufitar
Prefekti i qarkut Dubrovnik-Neretva, Blaž Pezo, shpjegoi se mbeturinat shfaqen në të gjitha gjiret e ekspozuara nga Konavle deri në Lastovo, duke e quajtur situatën “një problem të madh që mund të zgjidhet vetëm me bashkëpunim rajonal”.
Po diskutohet edhe vendosja e një sistemi monitorimi satelitor për detektimin e mbeturinave që në det të hapur, në mënyrë që të ndalen para se të prekin bregun.
Edhe Italia dhe Mali i Zi raportojnë probleme të ngjashme me valën e mbeturinave që sjell deti Adriatik.


