Dy persona të shpallur në kërkim për vepra penale të ndryshme kanë rënë në prangat e Policisë së Durrësit, gjatë një operacioni të përbashkët me Policinë e Shkodrës dhe atë të Korçës, të koduar “Koordinimi”.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, është arrestuar shtetasi Taulant Bejko, 39 vjeç, banues në Shkodër. Gjykata e Durrësit, me vendim të datës 31.07.2025, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Ndërkohë, në vijim të operacionit dhe në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pogradec, është arrestuar edhe shtetasi Artmirnejdi Kasaj , 31 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar më herët për veprën penale “Mashtrim”.
Policia bën me dije se materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.


