Nga Maringlen Zhivani
Vllaznia nuk e ka mbyllur ende merkaton e saj dhe shumë shpejt pritet të konkretizojë një tjetër afrimi të rëndësishëm në repartin e mbrojtjes. Burime të sigurta bëjnë me dije per gazetarin Zhivani, se kuqeblutë janë shumë pranë firmës me qendërmbrojtësin boshnjak, Jasmin Çelikoviç, një lojtar 1.89 metra i gjatë që do të sjellë eksperiencë dhe siguri në prapavijë.
Futbollisti ka kryer paraditen e sotme vizitat mjekësore, të cilat kanë rezultuar pa probleme, ndërsa aktualisht ndodhet në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi”, ku po diskuton me drejtuesit e klubit detajet e fundit të kontratës. Nga sa mësohet, marrëveshja pritet të zgjasë deri në fund të këtij sezoni.
Çelikoviç është një emër i njohur në futbollin ballkanas. Ai është rritur te akademia e Rijekës, ndërsa më pas ka veshur fanellat e disa skuadrave si Rijeka, Inter Zaprešić, Zrinjski Mostar, Željezničar, Akhmat Grozny në Rusi, Panteolikos në Greqi dhe së fundmi Koper në Slloveni.
Ky afrimi shihet si një lëvizje strategjike nga drejtuesit shkodranë, të cilët synojnë të forcojnë mbrojtjen dhe të rrisin konkurrencën brenda skuadrës në objektivat madhorë të këtij sezoni.


