E rëndë/ Përmbytjet marrin viktimën e parë në Durrës, humb jetën punonjësi i Ndërmarrjes Komunale Plazh

Përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura kanë sjellë viktimën e parë në qytetin e Durrësit. Një person është gjetur pa shenja jete në zonën e Plepave, ndërsa dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e rrjedhës së fortë të ujit.

Fillimisht, autoritetet raportuan se trupi i pajetë ishte gjetur në një kanal kullues, pa u bërë i ditur identiteti i viktimës. Forcat e Policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe nisën veprimet hetimore, ndërsa trupi u transportua drejt morgut të Durrësit për ekspertizë mjeko-ligjore.

Sipas informacioneve të fundit, viktima është identifikuar si shtetasi A. H., 54 vjeç, punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh. Dyshohet se ai kishte shkuar në zonë për të verifikuar situatën e krijuar nga reshjet intensive dhe vërshimet e ujit, në kuadër të detyrës së tij.

Gjatë kryerjes së kontrolleve, 54-vjeçari mendohet se është marrë nga rrjedha e fortë e ujit, duke humbur jetën. Trupi i tij u gjet në një kanal kullues, në afërsi të ish-repartit ushtarak, pas kërkimeve të zhvilluara nga shërbimet e Policisë dhe polumbarët e RENEA-s.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa pritet që autoritetet të japin informacione të tjera zyrtare në vijim.

Home » Aktualitet » E rëndë/ Përmbytjet marrin viktimën e parë në Durrës, humb jetën punonjësi i Ndërmarrjes Komunale Plazh

Lajme te tjera

error: Content is protected !!