Të gjithë e mbajnë mend nisjen e aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth, si dhe reagimet e forta të kryeministrit Rama ndaj prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli. Ai e akuzoi prokuroren se nuk kishte kryer detyrën e saj lidhur me këto shkelje, duke deklaruar se nuk e meritonte të paguhej me taksat e qytetarëve dhe duke paralajmëruar edhe prokurorët e tjerë të vendit. Rama kërkoi madje që ajo të shkonte përpara drejtësisë për t’u hetuar.
Megjithatë, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka hedhur poshtë kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për nisjen e hetimeve ndaj saj. Sipas ILD, prokurorja Elsa Gjeli nuk ka kryer asnjë shkelje.
VENDIMI:
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
ZYRA E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË
INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË
Ni. 32 prot.
Tiranë, më ___ / ___ / 2025
Lënda:
Njoftim mbi vendimin e arkivimit të ankesës pas verifikimit
MINISTRIT TË DREJTËSISË
Z. ULSI MANJA
Bulevardi “Zog I-rë”
Tiranë
Për dijeni: Znj. Elsa Gjeli
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër
Ju vëmë në dijeni se Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD), pas shqyrtimit fillestar të ankesës tuaj, të regjistruar me nr. 2138 prot., datë 10.07.2025, ndaj veprimtarisë së magjistrates znj. Elsa Gjeli, prokurore pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, si dhe referuar vendimit nr. 2138/3 prot., datë 15.07.2025 të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë “Për verifikimin pas shqyrtimit fillestar të ankesës” dhe informacionit të marrë, ka konkluduar se nuk konstatohen elementë juridikë apo faktikë që krijojnë një dyshim të arsyeshëm për fillimin e hetimit disiplinor ndaj magjistrates znj. Elsa Gjeli me detyrë prokurore.
Për këtë arsye, është vendosur arkivimi pas verifikimit të ankesës tuaj, bazuar në nenin 122, pika 4, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Në mbështetje të nenit 119, pika 4, dhe nenit 122, pika 5, të ligjit nr. 96/2016, bashkëlidhur këtij njoftimi, ju lutemi të gjeni një kopje të vendimit të arkivimit të ankesës.
Në përputhje me nenin 122, pika 5, të ligjit nr. 96/2016, ju keni të drejtë të ankimoni këtë vendim në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, brenda 1 (një) jave nga data e marrjes së vendimit të arsyetuar.
Tiranë, 19 shtator 2025
Y/A.
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Godina nr. 13, Tiranë
Tel: +355 4 2217217 | http://www.ild.al | info@ild.al

