Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dhënë detaje zyrtare mbi operacionin e zhvilluar ndaj zyrtarëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku janë lëshuar masa sigurie për tetë persona, të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, shtetasit Ergys Agasi, Ermal Beqiri, Mirilda Karçanaj, Hava Delibashi, Andis Papa, Gëzim Hoxha, Rogers Rryta dhe Erion Ismaili dyshohet se kanë vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, duke kryer veprime të kundërligjshme në procedurat e tenderimit publik.
Hetimet tregojnë se të dyshuarit kanë shkelur barazinë e pjesëmarrësve në tendera, përmes vendosjes së kritereve të posaçme jo të parashikuara nga ligji, me qëllim favorizimin e kompanive të paracaktuara. Po ashtu, SPAK bën me dije se përmes konkurrencës së paligjshme dhe ushtrimit të presionit, përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse janë detyruar të heqin dorë nga ankimimet, duke hapur rrugën për shpalljen fituese të subjekteve të favorizuara.
Në kuadër të këtij procedimi penal, është kërkuar masë sigurimi edhe për administratorë të disa kompanive private, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë formalisht në tendera, kanë lëshuar fatura tatimore fiktive dhe kanë kryer transaksione financiare të dyshimta, jashtë procedurave ligjore të prokurimit.
SPAK ka regjistruar procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025 për veprat penale: “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”, të parashikuara nga Kodi Penal.
Më 15 dhjetor 2025, SPAK i paraqiti kërkesën Gjykatës së Posaçme për caktimin e masave të sigurimit, ndërsa më 16 dhjetor 2025, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka nisur ekzekutimin e vendimeve të gjykatës.
Masat e sigurisë të vendosura përfshijnë:
- Arrest në burg për shtetasit E.A. dhe E.B. (masa ende të paekzekutuara);
- Arrest në shtëpi për shtetaset M.K. dhe H.D.;
- Pezullim nga detyra dhe ndalim i daljes jashtë shtetit për shtetasin E.I.;
- Ndalim i daljes jashtë shtetit për shtetasit A.P., G.H. dhe R.Rr.
SPAK bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë skemë të dyshuar abuzimi me tendera publikë.


