Operacioni “Forest 1” në Shkodër – kapet 33-vjeçari i kërkuar për kultivimin e mbi 10 mijë bimëve narkotike
Shkodër – Vijojnë kontrollet intensive të Policisë së Shtetit në zbatim të planit të masave për kapjen e shtetasve në kërkim, në të gjithë territorin e qarkut.
Në këtë kuadër, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Forest 1”, që çoi në arrestimin e shtetasit në kërkim Mhill Shpati, 33 vjeç, banues në fshatin Bardhaj.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pas një vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se Mhill Shpati ka bashkëpunuar me persona të tjerë për kultivimin e 10 274 bimëve narkotike kanabis, të cilat u gjetën dhe asgjësuan nga Policia më datë 10 gusht 2023, në fshatin Kir.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme ligjore.


