Në sheshin qendror të Fushë-Arrëzit, të dielën e 10 gushtit, u zhvillua një mbrëmje e paharrueshme kushtuar kulturës dhe trashëgimisë shqiptare. “Fest Folk”, nisma e Këshillit të Qarkut Shkodër nën drejtimin e kryetarit Edmond Ndou, solli në skenë artistët më të mirë të qarkut, duke e kthyer qytetin në një festë të hapur për këngën, vallen dhe kostumet popullore.

Ky aktivitet, që më herët u organizua edhe në Malësinë e Madhe, është pjesë e një turi festiv që pas Fushë-Arrëzit do të shtrihet edhe në bashkitë e tjera të qarkut Shkodër, duke sjellë ngjyrat dhe emocionet e folklorit në çdo trevë.
Mikpritja e banorëve, energjia e artistëve dhe bashkëpunimi i Bashkisë Fushë-Arrëz e bënë këtë aktivitet një mozaik emocionesh, ku e shkuara dhe e ardhmja u takuan në tingujt e traditës.
Ky festival, që ndërthur këngët, vallet dhe veshjet karakteristike të trevave tona, është konceptuar për të nderuar dhe promovuar trashëgiminë kulturore, duke bashkuar pesë bashkitë e qarkut Shkodër në një rrugëtim artistik.

“Fest Folk” do të vijojë udhëtimin e tij, duke përcjellë vlera, krenari dhe emocion në çdo skenë ku do të ndalet.
