Vrasja e të riut Pavlin Preka në oborrin e banesës së tij në fshatin Guci e Re, Shkodër, vijon të jetë e mbushur me mister. Ndonëse kanë kaluar 6 muaj prej shkurtit të 2025, ku 20-vjeçari u bë “shoshë” me plumba, ende nuk janë gjetur autorët.
Lidhur me këtë ngjarje ka folur së fundmi gazetarja Aida Topalli e cila tha se Policia e Shkodrës nuk ka punuar për zbardhjen e kësaj ngjarje, ndërkohë që dyshimet janë se i riu mund të ketë parë diçka që nuk duhej ta shihte dhe për këtë arsye e kanë “hequr qafe”.
“Është një i ri pa një rekord kriminal. U vra me silenciator, dhe është thirrur të dalë jashtë shtëpisë së tij, ka qenë ekzekutim mafioz. As fqinjët nuk kanë dëgjuar asgjë që të mund të dëgjonin.
Nuk ka as kamera sigurie, por ishte një vrasje e mirëmenduar dhe mirëorganizuar. Dy janë pistat kryesore. Një është për territoret e kanabasit, në lidhje me parcelat. Mund të ketë parë diçka ndoshta që nuk duhet ta shihte. Mund të ketë punuar për grupet kriminale dhe mund të ketë pasur gërricje e grupet kriminale nuk e kanë për gjë të të heqin qafe.
Vrasjet e fundit të bëra në Shkodër kanë pasur në thelb moralin, por nuk dua të zbuloj më shumë pa i prishur punë hetimeve,“ tha Topalli në Top News.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e 27 shkurtit të këtij viti. Ishte xhaxhai i 20-vjeçarit, Nikollë Preka personi i cili e gjeti nipin e tij të vrarë. I riu jetonte i vetëm në shtëpi ndërsa ushqehej tek familja e xhaxhait që e kishte shumë afër. Pasi e kishin telefonuar disa herë për të ngrënë drekën, ai nuk i ishte përgjigjur dhe si rrjedhojë xhaxhai i tij kishte shkuar tek banesa duke menduar se mos ishte në gjumë.
Por, në atë moment e gjeti 20-vjeçarin të shtrirë në oborrin e banesës të “bërë shoshë” nga plumbat. Menjëherë ai telefonoi policinë, të cilët mbërritën në vendin e ngjarjes dhe filluan hetimet.
Më herët, përveç familjarëve të së riut, por edhe fqinjët, e kanë përshkruar Pavlinin si një djalë të qetë, i cili nuk kishte konflikte me askënd. Ky fakt është konfirmuar edhe nga Policia të cilët më herët bënë me dije se ai nuk rezultonte të kishte precedent penal.