Tropojë, Has, Kukës – Një grup prej 16 të rinjsh nga veriu i Shqipërisë kanë përfunduar me sukses një trajnim profesional 320-orësh për t’u bërë udhërrëfyes të çertifikuar për hiking dhe trekking në zonat malore të vendit. Trajnimi, i cili është në fazën përfundimtare të certifikimit nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, synon të rrisë sigurinë, cilësinë dhe përvojën e vizitorëve që eksplorojnë bukuritë e maleve shqiptare.
Të rinjtë janë trajnuar në një sërë aspektesh kyçe si navigimi në terren të vështirë gjatë verës dhe dimrit, menaxhimi i rreziqeve dhe masat e sigurisë, interpretimi i trashëgimisë kulturore e natyrore, si dhe praktikat e turizmit të qëndrueshëm.
Kjo iniciativë është pjesë e një strategjie më të gjerë për të zhvilluar turizmin malor në mënyrë të përgjegjshme, duke përfshirë komunitetin lokal dhe duke mbështetur sipërmarrjet e reja në rajonet e Tropojës, Hasit dhe Kukësit.
Megjithatë, ky zhvillim vjen në një kohë kur numri i aksidenteve në Alpet shqiptare është në rritje. Çdo sezon turistik sjell raportime për turistë që humbasin rrugën ose pësojnë lëndime për shkak të mungesës së njohurive të terrenit dhe vendimit për të ecur pa një udhërrëfyes. Bilancet shpesh janë të rënda, me ndërhyrje emergjente nga ekipet e shpëtimit dhe, fatkeqësisht, edhe humbje jete në disa raste.
Prandaj, angazhimi i udhërrëfyesve të trajnuar është më shumë se një çështje komoditeti — është një nevojë jetike për sigurinë e vizitorëve dhe për ruajtjen e imazhit të Shqipërisë si një destinacion i sigurt për aventurën malore.
Mos e eksploroni vetë! Njihuni me një udhërrëfyes të çertifikuar dhe përjetoni bukuritë e maleve shqiptare me siguri dhe njohuri