Për dy ditë me radhë, Pallati i Sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër u kthye në qendrën e emocioneve sportive, duke mirëpritur Kupën e Republikës në gjimnastikën artistike. Aktiviteti mblodhi së bashku sportistë nga e gjithë Shqipëria, të cilët konkurruan në disiplinat e ndryshme të këtij sporti elegant dhe teknik.
Ngjarja u vlerësua lartë nga drejtuesit e Federatës Shqiptare të Gjimnastikës, të cilët evidentuan rritjen e nivelit dhe veçanërisht paraqitjen pozitive të elementëve të rinj, që po tregojnë potencial premtues për të ardhmen.
Ekipi organizator dhe klubi pritës, ai i Shkodrës, u shprehën të kënaqur me mbarëvajtjen e aktivitetit, duke theksuar rëndësinë që kanë këto evente për zhvillimin dhe promovimin e sportit të gjimnastikës në vend.
Objektivi i radhës për sportistët dhe stafet teknike është përfaqësimi dinjitoz në arenën ndërkombëtare, ku pritet që emra të rinj të spikasin në kompeticione jashtë vendit, duke përfaqësuar me krenari Shqipërinë.