Gjykata le ne burg 4 te arrestuarit per tritolin.G.Bushati pranon krimin: Me porositen…

“Arrest me burg” për Gert Bushatin, dyshohet për vendosjen e tritolit që i mori jetën Hysni Ymerit

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Gert Bushatin, i dyshuar si personi që ka vendosur sasinë e eksplozivit që i mori jetën 67-vjeçarit Hysni Ymeri.

Bushati ka pranuar se ka vendosur lëndën shpërthyese më 27 dhjetor, në panelin e matësve elektrik, e cila shpërtheu dy ditë më vonë duke shkaktuar ngjarjen tragjike. Në dëshminë e tij ai ka deklaruar se është kontaktuar nga Edison Hasaj, Gjergj Zefi dhe Ergys Ibrahimi, të cilët sipas tij kanë qenë porositës të vendosjes së tritolit.

Gjykata ka dhënë po ashtu masën “arrest me burg” edhe për tre të dyshuarit e tjerë: Gjergj Zefi, Ergys Ibrahimi dhe Edison Hasaj, të cilët dyshohen si pjesëmarrës në organizimin e ngjarjes. Ata nuk e kanë pranuar akuzën dhe janë mbrojtur nga avokatët e tyre.

Autoritetet kanë sekuestruar celularë dhe prova të tjera materiale, ndërsa Bushati ka deklaruar se nuk ka ditur që shpërthimi do të kishte pasoja fatale, duke pretenduar se është informuar se lënda shpërthyese do të përdorej vetëm për frikësim.

Sipas burimeve hetimore, lënda eksplozive dyshohet të jetë vendosur një herë më parë, por pa u aktivizuar. Vendosja e dytë është kryer më 27 dhjetor dhe dy ditë më pas ndodhi shpërthimi që solli humbje jete.

Ndërkohë, për tre personat e tjerë të arrestuar masa e sigurisë është zhvilluar në një seancë të veçantë, ndërsa motivi i ngjarjes ende mbetet i paqartë, pasi të dyshuarit nuk kanë dhënë detaje në lidhje me konfliktin e mundshëm.

Prokuroria ka ngritur ndaj katër të arrestuarve akuzat për “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”, “shkatërrim prone me eksploziv”, “mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve shpërthyese dhe municionit”, “prodhim dhe shitje narkotikësh në bashkëpunim” si dhe “prishje të qetësisë publike”.

Grupi hetimor po shqyrton disa pista, përfshirë edhe ngjarje të mëhershme ku familjarë të viktimës kanë qenë të përfshirë në çështje penale, megjithatë ende nuk ka një përfundim përfundimtar nëse këto kanë lidhje me vrasjen e Hysni Ymerit.

Pak ditë para ngjarjes, në Shqipëri kishte mbërritur edhe djali i viktimës, i cili jeton jashtë vendit dhe po qëndronte pranë nënës së sëmurë rëndë në spital.

Home » Kronike » Gjykata le ne burg 4 te arrestuarit per tritolin.G.Bushati pranon krimin: Me porositen…

Lajme te tjera

error: Content is protected !!