Një histori e rrallë që dëshmon forcën e kujtesës dhe pasionin për trashëgiminë kulturore shqiptare është ndarë nga operatori turistik dhe drejtuesi i “Mrizit të Zanave”, Altin Prenga. Ai sjell në vëmendje sakrificën e Nik Tomës, një shqiptar që në vitin 1986, në kulmin e regjimit komunist, guxoi të fotokopjonte me dorë 730 faqe të “Lahutës së Malcis” së At Gjergj Fishtës.
Tomës iu desh 30 ditë rresht për të kryer këtë akt të jashtëzakonshëm. Me stilograf në dorë dhe fletore të ndryshme, por me të njëjtën disiplinë, ai rrezikoi jo vetëm veten, por edhe familjen, nga frika se mos vepra e ndaluar e At Gjergjit zhdukej përgjithmonë.
“Ditën punonte te Vatra e Kulturës, duke i kënduar Enverit, e natën shkruante Lahutën,” shkruan Altin Prenga, duke vënë në pah kontrastin e madh të kohës.
Kjo histori nuk kufizohet vetëm te sakrifica e një njeriu. Altini tregon se tek Gjoni, djali i Nikës, gjeti edhe relike të tjera me vlerë të jashtëzakonshme: gotat dhe filxhanin me të cilin pinte kafe At Gjergj Fishta me gjyshin e tij, si dhe një Meshar lutjesh në gegnisht, i vitit 1940.
Në fund, mesazhi i Prengës është i qartë: “Dikur dija, librat dhe lirija ishin shumë të çmueme. Ndërsa sot i kemi dhe nuk i vlerësojmë.”
Statusi i plotë i Altin Prengës
(më poshtë botohet i plotë shënimi i Altin Prengës në rrjetet sociale)
“Me fotopkopju me stilograf 730 faqe në 365 fletë të Lahutës së Malcis, tu rreziku veten e familjen, vetëm prej frikës se mos zhdukej libri fizikisht e me humb vepra e At Gjergjit.
Nik Toma, në vitin 1986, për 30 dit rresht, arriti me e shkru nji pjes të madhe të Lahutës pa gabime, me nji disiplinë stilografie të frikshme. Dallohet se dhe fletoret ishin material i ndryshem sepse ato kishin por disiplina e njajte.
Ditën punote te Vatra e Kulturës, tu i këndu Enverit, e natën shkrunte Lahutën.
Te Gjoni, djali i Nikës, gjeta gotat e filxhanin me t’cilin pinte At Gjergji me gjyshin e tij, bashkë me nji Meshar lutjesh në gegnisht, i vitit 1940.
Dhe shumë kujtime tjera, dëshmitare të forcës së njeriut dhe kujtesës.
Dikur dija, librat dhe lirija ishin shume të çmueme. Ndérsa sot i kemi dhe nuk i vleresojme!”





