Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD), Artur Metani, zhvilloi sot një takim pune me përfaqësues të Organizatave të Shoqërisë Civile (OSHC) dhe partnerë ndërkombëtarë. Fokusi i takimit ishin pikat e forta dhe të dobëta të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si dhe prioritetet për të ardhmen, bazuar në raportin e veprimtarisë së institucionit për vitin 2024 dhe një krahasim dinamik të punës së ILD-së gjatë pesë viteve të funksionimit të saj.
Takimi, i cili u mbajt në praninë e trupës së inspektorëve të ILD-së, synonte një komunikim të hapur dhe shterues me aktorët kryesorë të shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë. Të pranishëm ishin përfaqësues nga Instituti i Studimeve Politike (ISP), Instituti Shqiptar i Shkencës/Open Data Albania, Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), Qëndresa Qytetare, Qendra për Zhvillim dhe Integrim Europian (CEDI), dhe Qendra Altri. Gjithashtu, morën pjesë edhe partnerë ndërkombëtarë si Delegacioni i Bashkimit Evropian, OPDAT, Prezenca e OSBE, Ambasada e Mbretërisë së Holandës dhe misioni EU4 Justice, ky i fundit edhe mbështetës i aktivitetit.
Në fjalën e tij hyrëse, Metani theksoi rëndësinë e këtij dialogu:
“Këtë lloj komunikimi me organizatat e shoqërisë civile e konsideroj si tejet të rëndësishëm, pasi ju konsideroj aktorë të jashtëm me peshë për shkak se jo vetëm përmes takimeve tona, por edhe përmes aktiviteteve e projekteve tuaja, jeni njohës të mirë të mënyrës sesi funksionon Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Pra, pritshmëria jonë është për mendim të kualifikuar dhe këtë mund ta realizojmë së bashku, duke marrë sqarimet tona për çdo aspekt të punës së ILD-së që ju intereson.”
Sipas njoftimit për shtyp, gjatë takimit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë prezantoi një analizë grafike të punës së ILD-së për vitin 2024, duke u fokusuar në funksionet kryesore të institucionit: administrimin dhe trajtimin e ankesave, hetimin dhe procedimin disiplinor, si dhe inspektimet. Ai gjithashtu paraqiti ecurinë e veprimtarisë së ILD-së që nga fillimi i funksionimit në vitin 2020, duke ndarë të dhëna konkrete dhe synime për rritjen e efikasitetit të punës, transparencës dhe forcimin e besimit të publikut tek ILD dhe institucionet e drejtësisë në përgjithësi.
Metani iu përgjigj pyetjeve të pjesëmarrësve lidhur me aspekte të ndryshme të punës së ILD-së ndër vite, si dhe zhvillimeve jashtë institucionit që prekin rolin dhe pritshmëritë publike. Ai vlerësoi lart kontributet dhe sugjerimet e OSHC-ve, duke theksuar vlerën e raporteve monitoruese, si ai i fundit nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
“Raportet e monitorimit të Shoqërisë Civile ndaj ILD-së janë tregues se ky institucion është i monitorueshëm, pavarësisht nëse biem apo jo dakord me gjetjet e përcjella, sepse në fund të fundit kështu funksionon demokracia. E rëndësishme është që puna e një institucioni monitorohet, analizohet e vlerësohet dhe ky është një mekanizëm demokratik për t’u ushqyer e vlerësuar,” u shpreh Metani.
Në mbyllje të takimit, të gjithë pjesëmarrësit ranë dakord se kontaktet profesionale janë thelbësore për të kuptuar dinamikat e punës jo vetëm të ILD-së, por edhe nevojat dhe prioritetet që duhen përcaktuar e zbatuar për një sistem drejtësie më efikas dhe të besueshëm.