Një skemë e mirëfilltë mashtrimi është zbuluar nga Policia e Tiranës, ku në pranga kanë përfunduar katër persona. Sipas hetimeve të Sektorit Kundër Krimit Ekonomik, shtetasit Krenar Toromeni, 36 vjeç, banues në Divjakë; Ilia Gjini, 24 vjeç, banues në Divjakë; Artur Lecini, 39 vjeç; dhe Elton Rrushi, 38 vjeç, banues në Kavajë, dyshohet se kanë krijuar një skemë mashtrimi ndaj një 55-vjeçari.
Autorët, duke u paraqitur në rrjetet sociale si kryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, i kanë kërkuar borxh shumën prej 40 mijë eurosh biznesmenit nga Shkodra, Ilir Rexhvela.
Në mesazhet e dërguara përmes aplikacionit “Viber”, ata i kanë komunikuar viktimës se paratë nevojiteshin me urgjencë. Më pas, kanë lënë një takim pranë aeroportit të Rinasit, ku i kanë marrë shumën prej 40 mijë eurosh 55-vjeçarit dhe janë larguar.
Pas ngjarjes, biznesmeni ka kuptuar se kishte rënë pre e mashtrimit dhe ka bërë denoncim pranë Policisë së Shtetit, e cila, pas hetimeve, ka identifikuar autorët. Si rezultat, janë arrestuar tre prej tyre, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
OraNews-Edison Vatnikaj


