Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, ka pritur sot në një takim kampionin më të ri botëror të IBO-së, Jurgen Uldedaj. Boksieri, i renditur ndër pesë më të mirët në botë në kategorinë e tij, është vlerësuar nga Ndreu për arritjet dhe kontributin në promovimin e qytetit.
Gjatë takimit, kreu i bashkisë theksoi se Uldedaj është një shembull suksesi, duke qenë se ka lindur dhe është rritur në Lezhë, ku edhe nisi karrierën e tij në ambientet modeste të palestrave të qytetit, nën drejtimin e trajnerit Rigels Nicaj, i cili e identifikoi talentin e tij që në fillim.
Ndreu njoftoi gjithashtu se në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak do të propozojë që Jurgen Uldedaj të nderohet me titullin e lartë “Qytetar Nderi i Lezhës”, si shenjë mirënjohjeje për arritjet dhe përfaqësimin dinjitoz të qytetit në arenën ndërkombëtare.


